Si do parandalohen përmbytjet, Pr/buxheti: Financohen 11 mln euro për 20 projekte
Projektbuxheti 2027 parashikon 1 miliard lekë për 20 projekte që synojnë mbrojtjen nga përmbytjet në disa zona të vendit.

Rreth 4.3 miliardë lekë janë vënë në dispozicion për infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet përmes projektbuxhetit të vitit 2027. Nga ky fond, 2,5 miliardë lekë do të shkojnë për vijimin e 74 objekteve të nisura në vitin 2026, nga të cilat 24 janë në administrim të ministrisë dhe 50 në administrim të bashkive.
Sa u takon ndërhyrjeve për mbrojtjen nga përmbytjet, një fenomen i përvitshëm në Shqipëri që shkakton dëme të larta ekonomike për fermerët, parashikohet zbatimi i 20 projekteve të investimit, me një vlerë totale për vitin 2027 prej 1 miliard lekësh, ose rreth 11 milionë euro.
Projektet shtrihen në disa zona të vendit, me fokus kryesor rehabilitimin e argjinaturave, mbrojtjen e brigjeve të lumenjve nga gërryerjet dhe parandalimin e përmbytjeve të tokave bujqësore dhe zonave të banuara. Sipas listës së detajuar të investimeve të planifikuara, ndërhyrjet përfshijnë qarqet Fier, Lezhë, Korçë dhe Durrës, si dhe lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman e Vjosë, krahas fushave torfike të Torrovicës dhe Maliqit.
Fieri me 7 projekte për mbrojtjen nga përmbytjet
Në qarkun Fier parashikohen 7 projekte investimi për mbrojtjen nga përmbytjet dhe gërryerjet e brigjeve të lumenjve. Sipas dokumentacionit të projektbuxhetit, ndërhyrjet përfshijnë rehabilitimin e lumit të Borshit, rehabilitimin e argjinaturës së majtë të lumit Bistricë në Çukë të Sarandës, si dhe mbrojtjen nga lumi Vjosë në Pishporo dhe Selenicë.
Gjithashtu, në listën e projekteve të paraqitura për këtë grup përfshihet rehabilitimi i argjinaturës mbrojtëse të kolektorit K17 në Butrint, ndërhyrjet në lumin Shushicë në Xhyher të Vlorës dhe mbrojtja e tokave bujqësore të fshatit Kallarat në Himarë.
Këto investime synojnë përmirësimin e infrastrukturës mbrojtëse në zonat e ekspozuara ndaj përmbytjeve, duke përfshirë argjinaturat, brigjet e lumenjve dhe tokat bujqësore që rrezikohen nga prurjet e larta të ujit.
Lezha, 5 projekte për mbrojtjen e brigjeve të lumenjve
Në qarkun Lezhë janë parashikuar 5 projekte që synojnë mbrojtjen nga gërryerjet e lumenjve Mat dhe Kir, si dhe ndërhyrje në grykëderdhjen e përroit Grykë Manati në lumin Drin.
Investimet përfshijnë gjithashtu mbrojtjen e brigjeve të lumit Drin në zonën e Bahçallëkut në Shkodër. Ndërhyrjet janë përqendruar në rehabilitimin dhe përforcimin e infrastrukturës mbrojtëse përgjatë rrjedhave ujore, me qëllim kufizimin e dëmeve që mund të shkaktohen nga gërryerjet dhe përmbytjet.
Korça me 6 projekte në lumenjtë Osum, Devoll dhe Shkumbin
Në qarkun Korçë janë planifikuar 6 projekte investimi, të përqendruara kryesisht në lumenjtë Osum, Devoll dhe Shkumbin. Ndërhyrjet përfshijnë mbrojtjen nga përmbytjet në lumin Devoll, poshtë Urës së Sheqerasit dhe në fshatin Dëshirë.
Gjithashtu, parashikohen punime për mbrojtjen nga gërryerjet në fshatin Bitinckë, si dhe sistemimin dhe mbrojtjen e brigjeve të lumenjve Osum dhe Shkumbin. Projektet synojnë të përmirësojnë kushtet e mbrojtjes nga përmbytjet në zonat bujqësore dhe të banuara që ndodhen pranë këtyre rrjedhave ujore.
Durrësi, argjinaturë mbrojtëse 22 kilometra përgjatë lumit Shkumbin
Në qarkun Durrës parashikohet një projekt për ndërtimin e argjinaturës mbrojtëse përgjatë lumit Shkumbin, në segmentin Ballaj–Vilë-Bashtovë, me gjatësi rreth 22 kilometra.
Ndërhyrja është pjesë e investimeve të planifikuara për mbrojtjen e zonave të ekspozuara ndaj përmbytjeve dhe gërryerjeve të brigjeve të lumenjve, me fokus në përmirësimin e infrastrukturës mbrojtëse përgjatë këtij segmenti.
19 projekte në vazhdim, 300 milionë lekë për një zë të ri investimi
Sipas tabelës së investimeve të parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027, 19 projektet konkrete të shpërndara në qarqe janë në vazhdim, ndërsa një zë tjetër është evidentuar si i ri, me një vlerë prej 300 milionë lekësh.
Investimet e planifikuara synojnë ndërtimin ose rehabilitimin e rreth 10 kilometrave argjinatura, krahas ndërhyrjeve të tjera për mbrojtjen e brigjeve të lumenjve dhe parandalimin e përmbytjeve.
Në total, financimi prej 1 miliard lekësh për 20 projekte përbën pjesë të fondit prej 4.3 miliardë lekësh të parashikuar për infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet gjatë vitit 2027. Ndërhyrjet synojnë të kufizojnë dëmet ekonomike që shkaktojnë përmbytjet, veçanërisht në tokat bujqësore dhe zonat e banuara pranë lumenjve.
Burimi: Scantv
Më të lexuarat






k.jpg)